Firmoset marrëveshja me kompaninë izraelite për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë

Përmes bashkëpunimit ndërmjet kompanisë shtetërore shqiptare KAYO sh.a dhe gjigantit izraelit të teknologjisë ushtarake, Elbit Systems Ltd, në qytetin e Vlorës do të rikthehet shkolla e Aviacionit, ku do të përgatiten pilotë ushtarakë dhe civilë. Marrëveshja u nënshkrua në Vlorë, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral-lejtnant Arben Kingji.

Ky projekt do të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për Forcat e Armatosura në fushën e aviacionit. Kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për krijimin e një baze të qëndrueshme dhe cilësore të kapitalit njerëzor, në funksion të aviacionit civil dhe atij ushtarak.

Rihapja e Akademisë së Aviacionit pritet të ulë kostot e trajnimit, të garantojë çertifikim të pavarur dhe të rrisë ndjeshëm kapacitetet kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe të aviacionit civil.