Deklaratë për Shtyp
Referuar lajmit të Syri Tv, në linkun bashkëngjitur Facebook: https://www.facebook.com/share/1PLMJ8Z6nc/?mibextid=wwXIfr dhe Instagram https://www.instagram.com/p/De7f4amm8-6/?srtk=MW1xMG1mMHNqdXlkNA==
Shoqëria shtetërore KAYO përgënjeshtron lajmin e publikuar nga Syri TV dhe të shpërndarë në media të tjera, sipas të cilit prona e ish-Uzinës së Përpunimit të Bakrit në Rubik i është “dhuruar” një subjekti privat.
Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë. Prona është dhe mbetet në pronësi të KAYO-s, shoqëri me 100% kapital shtetëror. Asnjë shoqëri partnere nuk përfiton pronësinë mbi këtë pasuri.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 140, datë 6.3.2025, ia transferon pronësinë e ish-uzinës KAYO-s dhe, në pikën 3, ndalon shprehimisht tjetërsimin e pronave dhe ndryshimin e destinacionit të përdorimit përtej objektit të veprimtarisë së saj.
Pronat e KAYO-s u jepen vetëm në përdorim shoqërive me të cilat janë lidhur marrëveshje, për zhvillimin e veprimtarisë industriale të përcaktuar në to. Dhënia në përdorim nuk përbën kalim pronësie apo privatizim. As përqindja e aksioneve që zotërojnë partnerët privatë në shoqëritë e përbashkëta nuk u jep atyre pronësi mbi pasuritë e KAYO-s.
Paraqitja e këtyre marrëdhënieve si “dhurim” apo përvetësim i pronës publike është një shtrembërim dashakeq i së vërtetës, që anashkalon ndalimin e shprehur në vendimin përkatës.
Në momentin aktual, përhapja e pretendimeve të tilla të pavërteta vetëm sa ushqen urrejtjen dhe nxit tensione. U bëjmë thirrje mediave të verifikojnë faktet përpara publikimit dhe qytetarëve të mos bëhen shpërndarës të dezinformimit. Debati publik kërkon transparencë, fakte dhe përgjegjësi.