Ish-Uzina e Autotraktorëve në Shkozë do të shndërrohet në një qendër moderne prodhimi për uniforma ushtarake dhe montim të mjeteve të blinduara.
Ky projekt u prezantua në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha. Projekti do të realizohet nga shoqëria KAYO sh.a., në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare dhe sipërmarrës vendas. Iniciativa është pjesë e një strategjie kombëtare zhvillimi që përfshin edhe zona të tjera si Rubiku, ku do të ndërtohen sisteme artilerie dhe dronë ushtarakë; Vlora, me shkollën e aviacionit dhe kantierin detar; Gramshi dhe Poliçani për prodhimin e armëve dhe municioneve; si dhe Mjekësi, për kapacitetet e specializuara të municioneve.
KAYO sh.a po zhvillon bisedime me kompaninë TIMAK për një bashkëpunim të ri sipas ligjit të industrisë ushtarake, me qëllimin mbulimin e nevojave të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, emergjencave civile dhe shërbimeve mjekësore. Ky projekt do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike për vendin, duke gjeneruar vende pune dhe zhvillim për komunitetet lokale. Përtej rëndësisë strategjike për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin industrial, ky investim pritet të revitalizojë një zonë prej mbi 45 mijë metrash katrorë në Shkozë, duke e kthyer atë në një qendër të rëndësishme të industrisë ushtarake në Tiranë. Pritet që projekti të krijojë mbi 200 vende të reja pune për banorët e zonës.