Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet KAYO SH. A dhe Fincantieri S.p.a
Më 8 prill 2025, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet KAYO SH. A, shoqërisë publike shqiptare, me fokus në prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve ushtarake dhe teknologjisë dhe Fincantieri S.p.a, kompanisë lider në botë, me një histori dhe ekspertizë të gjatë në fushën e projektimit dhe ndërtimit të anijeve ushtarake.
Ky Memorandum synon zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri, duke përfshirë ndërtimin e anijeve luftarake dhe civile, si dhe forcimin e kapaciteteve të prodhimit në bazën detare të Pashalimanit. Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesit e dy shoqërive, Z. Ardi Veliu, administrator i KAYO SH. A dhe Z. Andrea Viero, përfaqësues i Fincantieri S.p.a, në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes së Italisë z. Guido Crosetto dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë z. Pirro Vengu. Nënshkrimi i këtij Memorandumi shënon nisjen e një epoke të re dhe është një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve industriale mes dy shteteve.
Bashkëpunimi mes KAYO SH.A dhe Fincantieri S.p.a do të ketë në fokus në forcimin e kapaciteteve të Forcës Detare shqiptare si dhe do të mundësojë ndërtimin e anijeve luftarake për klientë të tretë, mjete detare civile për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Projekti vlerësohet si një mundësi e shkëlqyer për të zhvilluar dhe forcuar më tej sektorin e industrisë ushtarake dhe mbrojtëse të Shqipërisë, duke krijuar mundësi për punësim, rritje të kapaciteteve vendase dhe krijimin e ekspertizës në ndërtimin e anijeve të avancuara.